Identifikohen me ADN tri viktima të “Grupit të Intelektualëve” të zhdukur në vitin 1999
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë identifikuar përmes analizës së ADN-së tri viktima të luftës së fundit në Kosovë, të lidhura me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Kurti ka njoftuar se Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas tij, identifikimi i tri viktimave është bërë më pak se dy muaj pas konfirmimit të varrit të parë masiv. Viktimat, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Raportet e ADN-së i janë dorëzuar Institutit për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave.
Kurti ka bërë të ditur se në ditët dhe javët në vijim priten edhe rezultate të tjera nga mostrat e dërguara për identifikim, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh.
Ai ka kërkuar që SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
