Hasani: Osmani i ka “uzurpuar” kompetencat e Kuvendit të Kosovës
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës është jokushtetues.
Foto: Ilustrim
Sipas tij, në sistemin parlamentar të Kosovës presidenti nuk ka kompetencë ta shpërndajë Kuvendin. Ai shpjegon se procedura për zgjedhjen e presidentit tashmë ka nisur dhe Kuvendi ka 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri.
Nëse dështon brenda këtij afati, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.Hasani gjithashtu thekson se konsultimet e partive me presidenten për datën e zgjedhjeve janë “fiktive dhe jokushtetuese”, duke shtuar se vendimi i presidentes përbën uzurpim të kompetencave të Kuvendit dhe mund të anulohet nëse dërgohet në Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas tij, nëse dekreti rrëzohet, procedura kushtetuese kthehet në afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas dështimit të saj vendi mund të shkojë në zgjedhje.Në fund, Hasani paralajmëron se situata mund të krijojë precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues të vendit.
