Gjendja në kufi: Hyrjet pa vonesa, pritje deri në një orë për të dalë nga Kosova

13.08.2026

Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), pika më e ngarkuar kufitare për sa i përket daljes nga Kosova vazhdon të jetë ajo te Dheu i Bardhë.

Sipas matjeve të fundit, qytetarët që po udhëtojnë përmes kësaj pike kufitare duhet të presin deri në 60 minuta për të dalë nga vendi, ku është krijuar një kolonë automjetesh prej 600 metrash.​

Fluks i rritur në dalje po regjistrohet edhe në pikën kufitare në Merdarë, ku kohëpritja për daljen e automjeteve arrin deri në 30 minuta, me një kolonë prej rreth 150 metrash.​

Gjendja në pikat e tjera kufitare:​

Hyrjet në Kosovë: Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, hyrja e automjeteve po zhvillohet pa vonesa të theksuara, me pritje që luhaten nga 1 deri në 10 minuta (më së shumti në Hani të Elezit).​

Qarkullimi i kamionëve: Për mjetet e transportit mallrash (kamionë), gjendja në të gjitha pikat kufitare është stabile dhe pritjet për hyrje e dalje janë minimale, nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të krijuara.

​Pikat e tjera: Në pikat e tjera si Vërmicë, Jarinje, Bërnjak, Kullë, Qafë e Morinës e të tjera, qarkullimi i automjeteve po zhvillohet normalisht dhe pa vonesa.​

Qytetarët udhëzohen të përdorin edhe pikat e tjera kufitare më pak të ngarkuara për të shmangur pritjet e gjata.