Fluksi në pikat kufitare: Pritje deri në 30 minuta në Dheu i Bardhë dhe kolona 1 kilometërshe në Kullë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me fluksin dhe kohëpritjet në pikat e kalimit kufitar të Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë me automjete janë regjistruar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku qytetarët duhet të presin deri në 30 minuta, ndërsa është krijuar një kolonë automjetesh prej rreth 200 metrash.
Në pikëkalimin kufitar Kullë, ndonëse kohëpritja për hyrje është midis 5 dhe 10 minutash, është raportuar një kolonë e gjatë automjetesh në hyrje që arrin deri në 1.000 metra (1 km).
Fluks me pritje ka edhe në Han të Elezit, ku kohëpritja në hyrje është rreth 15 minuta (me kolonë prej 70 metrash) dhe në dalje 10 minuta (me kolonë prej 50 metrash). Në pikën kufitare Vërmicë, pritjet shkojnë nga 5 deri në 10 minuta me një kolonë prej 30 metrash në hyrje.
Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Merdarën, Jarinjën, Bërnjakun, Qafën e Morinës dhe Mutivodën, situata është plotësisht e qetë, ku pritjet për hyrje dhe dalje luhaten nga 3 deri në 5 minuta dhe nuk ka kolona të krijuara.
Lidhur me qarkullimin e kamionëve, në të gjitha pikat kufitare kalimi po zhvillohet pa vonesa dhe pritjet janë minimale (3–5 minuta).
