Fluks i madh i mërgimtarëve në Aeroportin e Prishtinës, rreth 60 fluturime priten sot
Fluksi i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë për pushimet verore ka nisur të rritet ndjeshëm, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” pritet të jetë një nga pikat më të ngarkuara gjatë këtyre ditëve.
Foto: Ilustrim
Vetëm gjatë ditës së sotme pritet të aterojnë rreth 60 aeroplanë nga destinacione të ndryshme ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e fluturimeve vijnë nga Zvicra, Gjermania, Turqia dhe Austria, vende ku jeton një numër i madh i bashkatdhetarëve.
Ardhjet e mërgimtarëve janë shtuar me fillimin e sezonit të pushimeve verore, ndërsa krahas tyre në Kosovë po mbërrijnë edhe turistë të huaj.
Fluksi pritet të jetë edhe më i madh gjatë fundjavës, kur parashikohet rritje e numrit të udhëtarëve që do të hyjnë në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës.
Periudha e verës konsiderohet ndër më të ngarkuarat për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, për shkak të kthimit të madh të mërgimtarëve në vendlindje.
