Draft-raporti i PE-së kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

19.02.2025

Në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, i cili pritet të diskutohet dhe miratohet së shpejti, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Sipas draft-raportit, këto masa nuk janë më të arsyeshme dhe bien ndesh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe politikave të BE-së.

Në draft, Kosova vlerësohet për përkushtimin e saj ndaj integrimit në BE, duke theksuar se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian. Raporti mbështet fuqishëm aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe u bën thirrje vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë sa më shpejt.

Draft-raporti gjithashtu mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Po ashtu, mbështetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe përshëndetet emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i posaçëm për këtë dialog.

Në fushën e sundimit të ligjit, draft-raporti vlerëson përparimin e Kosovës në drejtësi, siguri dhe liri, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Megjithatë, shqetësimi kryesor mbetet niveli i korrupsionit dhe dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në lidhje me pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve. Raporti thekson shqetësimin për kritikat e zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimeve gjyqësore në raste individuale.

Situata e sigurisë në Kosovë gjithashtu përbën një shqetësim në draft-raport. Dënohen sulmet në Banjskë dhe Ibër Lepenc dhe kërkohet që autorët e tyre të nxirren para drejtësisë. Raporti shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka ndëshkuar autorët e sulmeve në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin.