Dielli duket më i zbehtë, Mendimi për Motin: Pluhuri saharian e rëndoi sërish gjendjen e cilësisë së ajrit

01.04.2024

Pluhuri saharian e ka përfshirë Kosovën, duke e rënduar sërish gjendjen e cilësisë së ajrit.

Dielli duket më i zbehtë, Mendimi për Motin: Pluhuri saharian e rëndoi sërish gjendjen e cilësisë së ajrit Foto: Ilustrim

“Mendimi për Motin” ka njoftuar se sot pluhuri saharian ka zbritur edhe pranë sipërfaqes.

“Pluhuri saharian që brenda javës po kaplon për herë të dytë vendin, ka rënduar gjendjen edhe me cilësinë e ajrit. Koncentrimet e larta të pluhurit që kanë zbritur edhe pranë sipërfaqes kanë çuar indeksin e cilësisë së ajrit në vlera të dobëta në disa nga stacionet matëse të IHMK-së, si nga Prishtina, por dhe në Pejë e Mitrovicë. Indeksi është në vlera të dobëta edhe në stacionin malor në Brezovicë, që në këto kushte të prezencës më të lartë të pluhurit saharian shënon edhe vlera më të larta të ndotjes, ngase ky pluhur është më i dendur në pjesë më të larta të troposferës, në 1000m e 2000m lartësi”, njofton “Mendimi për Motin”.

Në njoftim thuhet se “nivelet e larta të pluhurit gjithashtu i japin qiellit një pamje më të zbehtë dhe zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, në raste edhe më pak se 10km”.

“Në këto pamje të ditës së sotme dielli dukej më i zbehtë gjatë lindjes, në prapavijë të kalasë së Artanës”.