Banorët e Reshtanit kërkojnë rikthimin e energjisë elektrike pas stuhisë

23.07.2026

Banorët e fshatit Reshtan kanë bërë një kërkesë drejtuar Kryetarit të Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, dhe KEDS-it, për të ndërhyrë sa më shpejt për rikthimin e energjisë elektrike në një pjesë të fshatit.

Sipas banorëve, pas situatës së rënduar atmosferike të ditëve të kaluara, të përcjellë me reshje të mëdha shiu dhe stuhi të forta, një pjesë e fshatit ka mbetur pa energji elektrike që nga dita e martë.

Ata thonë se, për fat të mirë, stuhia nuk ka shkaktuar pasoja në njerëz, por ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe ekonomike. Ndërprerja e energjisë elektrike, sipas tyre, po krijon vështirësi për shumë familje të fshatit.

Banorët i bëjnë thirrje KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt, në mënyrë që familjet e prekura të furnizohen përsëri me energji elektrike.

“Kërkesa jonë është që të bëhet një zgjidhje dhe të kemi energji elektrike sa më shpejt”, thuhet në kërkesën e banorëve të Reshtanit.