Mbi 100 armë vidhen nga një depo në Gjakovë, Policia raporton 20 të arrestuar në 24 orët e fundit
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, në të cilin janë evidentuar disa incidente kriminale në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë vjedhje të rënda, dhunë në familje, kanosje dhe arrestime të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Një nga rastet më të rënda është raportuar në Gjakovë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë vjedhur mbi 100 armë zjarri nga një depo. Sipas Policisë, rasti është raportuar më 30 tetor, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se nga shtëpia e saj janë vjedhur tri armë gjuetie me leje dhe një pistoletë. Ndërkohë, në Malishevë, gjatë kontrollit të një shtëpie, Policia ka sekuestruar një armë AK-47 dhe një pistoletë të llojit TT.
Gjatë kësaj periudhe janë raportuar edhe disa raste të dhunës në familje, kryesisht në rajonin e Prishtinës, ku disa persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Po ashtu, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të kërkuar përmes Interpolit, njërit në Prishtinë dhe tjetrit në fshatin Dubovë të Istogut.
Në raportin policor bëhet e ditur edhe se një person ka ndërruar jetë në QKUK më 30 tetor, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur më 24 tetor në Mitrovicë.
Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar:
1 aksident trafiku me fatalitet;
30 aksidente me persona të lënduar;
41 aksidente me dëme materiale;
1,975 tiketa trafiku të shqiptuara;
20 persona të arrestuar;
13 persona të dërguar në mbajtje;
3 persona të dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se rastet e raportuara janë duke u trajtuar nga njësitë përkatëse në koordinim me prokurorinë.
