Aksion i Policisë dhe Prokurorisë në Ministrinë e Infrastrukturës, tre zyrtare të ndaluara për keqpërdorim detyre
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë, po realizon sot një aksion në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmoi për lajmi.net se po kryhen hetime ndaj disa personave nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare,” tha Kelani. Ai shtoi se detaje shtesë do të bëhen publike pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Burime të konfirmuara bëjnë të ditur se janë ndaluar tre zyrtare të Ministrisë: F.S. – zyrtare në MI, E.G. dhe V.V.
Arrestimi i tyre është bërë pas veprimeve të koordinuara mes Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës. Dyshimet që rëndojnë mbi to lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprime që mund të kenë dëmtuar interesin publik në kuadër të projekteve të infrastrukturës.
Ky aksion dëshmon angazhimin e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës në administratën publike.