Aksion i gjerë i Policisë kundër korrupsionit në Prishtinë, Gjakovë dhe Gjilan, arrestime në Gjakovë

29.05.2025

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion të gjerë në tri qytete të vendit – Prishtinë, Gjakovë dhe Gjilan – në kuadër të hetimeve që lidhen me korrupsionin.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka njoftuar se kontrollet po zhvillohen në disa lokacione në këto tri rajone policore, me urdhër të gjykatës kompetente.

“Sot më 29.05.2025 në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit (DHKEK), me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar kontrolle në disa lokacione në tri rajone policore: Gjakovë, Gjilan dhe Prishtinë. Për detaje shtesë mund të informoheni pas përfundimit të operacionit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se në Gjakovë, Njësia për Krime Ekonomike, me autorizim të Prokurorisë kompetente, ka kryer bastisje dhe ka arrestuar tre persona: Kamer Shabani, drejtor i Qendrës për Patentë Shoferë në Gjakovë, Saber Arifaj, pronar i autoshkollës “Kader”, dhe Sadri Sutaj, ekzaminer i patentë shoferëve.

Të tre të arrestuarit në Gjakovë aktualisht janë duke u intervistuar nën dyshimet për veprime të paligjshme që lidhen me procesin e pajisjes me patentë shoferë. Ende nuk ka detaje të tjera lidhur me arrestimet apo kontrollet në Prishtinë dhe Gjilan.

Ky aksion i policisë tregon intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në vend.