80 punëtorë mbesin pa punë pas mbylljes së Caritasit në Suharekë
Rreth 80 punëtorë kanë mbetur sot pa punë pas mbylljes së Caritasit në Suharekë, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e tyre dhe të familjeve që varen nga të ardhurat e tyre.
Për vite me radhë, këta punëtorë kanë qenë pjesë e shërbimeve shëndetësore dhe kanë kontribuar në funksionimin e QKMF-së në Suharekë, duke u shërbyer qytetarëve dhe pacientëve.
Mbyllja e Caritasit ka lënë pas jo vetëm vende të humbura pune, por edhe rreth 80 familje që tash përballen me pasiguri ekonomike.
Pyetja që po shtrohet është se kush do të mbajë përgjegjësi për këta punëtorë dhe kush do të kujdeset për vazhdimin e punësimit të tyre, pas viteve të shërbimit dhe kontributit në sistemin shëndetësor lokal.
Për këtë situatë kërkohet reagim dhe sqarim nga institucionet përgjegjëse, pasi bëhet fjalë për dhjetëra familje që sot kanë mbetur pa burimin e tyre të të ardhurave.
