12 dhe 19 tetor datat e propozuara për zgjedhjet lokale

04.06.2025

Procesi i caktimit të datës për zgjedhjet lokale në Kosovë ka avancuar sot me propozimet konkrete nga partitë politike.

Pas takimit konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, liderët politikë kanë bërë publike datat e tyre të preferuara.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka propozuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve komunale. Sipas Haradinajt, kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore.

“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore,” ka shkruar Haradinaj. Ai shpreson që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë këtë propozim.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me Presidenten, ka njoftuar mediat se partia e tij ka propozuar dy data të mundshme për zgjedhjet lokale: 12 tetor dhe 19 tetor 2025.

Tani, topi është në fushën e Presidentes Osmani, e cila, menjëherë pas përfundimit të këtyre konsultimeve, pritet të caktojë zyrtarisht datën e zgjedhjeve lokale. Zgjedhja e një date të përbashkët do të hapë rrugën për fillimin e përgatitjeve për procesin zgjedhor në të gjitha komunat e Kosovës.