Telekomi i Kosovës rrit fitimin në mbi 12 milionë euro, pa shtrenjtuar çmimet për qytetarët
Telekomi i Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave dhe fitimit neto gjatë periudhës janar-tetor 2026, krahasuar me dy vitet paraprake, duke vazhduar trendin pozitiv të performancës financiare.
Sipas të dhënave të publikuara, të hyrat e kompanisë nga janari deri në tetor kanë arritur në 63.1 milionë euro në vitin 2026. Në të njëjtën periudhë, ato ishin 56.2 milionë euro në vitin 2025 dhe 48.5 milionë euro në vitin 2024.
Rritja është shënuar edhe në fitimin neto. Për periudhën e njëjtë, Telekomi i Kosovës kishte realizuar 6.34 milionë euro fitim në vitin 2024, 8.08 milionë euro në vitin 2025, ndërsa në vitin 2026 fitimi ka arritur në 12.18 milionë euro.
Kompania ka shënuar progres edhe në fitimin para zhvlerësimit dhe amortizimit, i cili nga 11.13 milionë euro në vitin 2024 është rritur në 19.71 milionë euro në vitin 2026.
Sipas këtyre të dhënave, rritja financiare është realizuar pa pasur nevojë për shtrenjtimin e çmimeve për konsumatorët. Përkundrazi, në disa raste çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë ulur.
Po ashtu, theksohet se Telekomi ka arritur të rrisë pagat e punëtorëve pa rritur shpenzimet e përgjithshme vjetore për paga, përmes optimizimit të operacioneve dhe menaxhimit të burimeve.
Këto rezultate tregojnë një trend pozitiv në performancën financiare të Telekomit të Kosovës, me rritje të të hyrave dhe fitimit gjatë tri viteve të fundit.
