Kosova forcon kapacitetet e transmetimit të energjisë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

1 orë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë (KOSTT) ka rritur për 350 megavatë kapacitetet neto të transmetimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Sipas KOSTT-it, kjo rritje është arritur përmes bashkëpunimit dhe koordinimit teknik me operatorët e sistemeve të transmetimit të këtyre tri shteteve.

Ky zhvillim synon të krijojë mundësi më të mëdha për tregtimin ndërkufitar të energjisë elektrike dhe të lehtësojë sigurimin e furnizimit me energji, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit, kur konsumi dhe nevoja për import zakonisht rriten.

KOSTT ka bërë të ditur se rritja e kapaciteteve është e rëndësishme edhe për shkak të bllokimit të vazhdueshëm nga Serbia të shfrytëzimit për tregtim ndërkufitar të linjës interkonektive Kosovë–Serbi.

Kjo situatë, sipas KOSTT-it, shton presionin mbi linjat e transmetimit me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përmes të cilave Kosova realizon shkëmbimin dhe tregtimin e energjisë elektrike me vendet e rajonit.

Megjithatë, KOSTT ka sqaruar se rritja prej 350 MW nuk nënkupton sigurimin e kësaj sasie të energjisë elektrike, por shtimin e mundësive teknike për bartjen dhe tregtimin e saj përmes linjave ndërkufitare.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me operatorët rajonalë për rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe integrimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike të Kosovës me tregjet evropiane.