BQK-ja paralajmëron pagesat e shpejta nga 23 nëntori, transferet deri në 300 euro pa tarifë për tre muaj

2 orë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga 23 nëntori 2026 do të nisë zbatimi gradual i sistemit të ri të pagesave të shpejta TIPS-K, i cili do t’u mundësojë qytetarëve transferimin e mjeteve brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

Sipas BQK-së, bankat që janë të gatshme do të fillojnë ofrimin e këtij shërbimi nga 23 nëntori, ndërsa të gjitha bankat pritet të lidhen me sistemin deri më 23 shkurt 2027, në përfundim të periudhës kalimtare tremujore.

Krahas lansimit të sistemit të ri, nga 23 nëntori do të hyjnë në fuqi edhe tarifat e reja për transferet bankare. Këto tarifa do të zbatohen nga të gjitha bankat, pavarësisht nëse janë lidhur tashmë me sistemin TIPS-K.

Sipas udhëzimit të miratuar nga BQK-ja, transferet deri në 300 euro do të jenë pa pagesë gjatë tre muajve të parë, ndërsa pas kësaj periudhe tarifa do të jetë pesë cent për transfer.

Për transferet mbi 300 deri në 3 mijë euro, tarifa do të jetë maksimumi 15 cent, ndërsa në fazën përfundimtare, gjatë vitit të parë të operimit, do të mundësohen edhe transferet mbi 3 mijë deri në 10 mijë euro, me tarifë maksimale prej 30 centësh.

Me përfundimin e procesit të lidhjes së të gjitha bankave, sistemi TIPS-K do të jetë plotësisht funksional dhe i qasshëm për përdorim të gjerë.

BQK-ja bën të ditur se në fazën e ardhshme parashihet edhe përfshirja e institucioneve jobankare të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, duke zgjeruar më tej mundësitë për kryerjen e pagesave të shpejta në Kosovë.