Çmimet e produkteve esenciale në Kosovë rriten për 45% brenda pesë vitesh, domatet dhe mishi shtrenjtohen më së shumti
Kostoja e jetesës në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, me çmimet e produkteve të konsumit familjar që janë shtrenjtuar mesatarisht për 45%.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasimi i çmimeve të tetorit 2021 me ato të tetorit 2026 tregon se pothuajse të gjitha produktet bazë të shportës familjare kanë pësuar rritje të konsiderueshme.
Rritjen më të madhe e kanë shënuar domatet, çmimi i të cilave është rritur për 84%, nga 0.92 euro në 1.69 euro për kilogram. Pas tyre renditen specat me 80%, mishi i gjedhit pa eshtra me 79%, mishi i pulës me 76% dhe mishi i viçit me 73%.
Shtrenjtim të ndjeshëm kanë pësuar edhe produktet e tjera të përditshme. Kafeja e bluar është shtrenjtuar për 68%, drutë e zjarrit për 58%, ndërsa dizeli për 53%. Mielli i grurit dhe buka e bardhë kanë shënuar rritje prej 47%, sheqeri prej 42%, ndërsa qumështi tetrapak prej 35%.
Në mesin e produkteve me rritje më të ulët të çmimeve janë vaji ushqimor i lulediellit me 11%, orizi me 17% dhe patatet me 19%.
Këto të dhëna pasqyrojnë rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës në Kosovë, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
