Kuvendi miraton tri projektligje në shqyrtim të parë, diskutohet edhe raporti i Auditorit për vitin 2025

1 orë

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancën plenare, të drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, ku janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi institucionale dhe janë miratuar disa projektligje.

Gjatë seancës, deputetët fillimisht zhvilluan deklarime jashtë rendit të ditës dhe parashtruan pyetje parlamentare, të cilave iu përgjigjën përfaqësues të kabinetit qeveritar.

Me 63 vota për u miratua propozimi për emërimin dhe zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, ndërsa me 78 vota për u miratua edhe fushëveprimi i komisioneve parlamentare për Legjislaturën XI.

Në vijim, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, prezantoi Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili u miratua në parim me 74 vota për.

Po ashtu, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, prezantoi Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë. Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë edhe këtë projektligj, si dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës ishte shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë prezantimit të raportit theksoi se ai ofron një vlerësim të pavarur për menaxhimin e fondeve publike, duke përfshirë gjetjet dhe rekomandimet për përmirësimin e raportimit financiar dhe menaxhimit buxhetor në institucionet publike.

Spanca bëri të ditur se rezultatet e auditimit evidentojnë përmirësime në disa fusha, por edhe mangësi që kërkojnë ndërhyrje dhe përgjegjësi më të madhe institucionale.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Besian Mustafa, paraqiti rekomandimin e komisionit për miratimin e raportit.

Pas diskutimeve të deputetëve nga grupet e ndryshme parlamentare lidhur me gjetjet e auditimit dhe menaxhimin e parasë publike, seanca përfundoi me shterimin e pikave të parapara të rendit të ditës.