Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit, shënon rritje prej 5.9%
Dogana e Kosovës ka arkëtuar 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro.
Sipas buletinit mujor të Doganës së Kosovës, gjatë tetorit janë shënuar edhe disa zhvillime të rëndësishme në fushën e tregtisë dhe kontrollit doganor.
Ndër aktivitetet kryesore veçohet realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.
Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka parandaluar një rast të kontrabandës, duke ndaluar 121 telefona celularë që nuk posedonin dokumentacionin përkatës.
Gjatë këtij muaji është organizuar edhe punëtoria e parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, lehtësimin e tregtisë së ligjshme, forcimin e kontrolleve doganore dhe mbrojtjen e interesave financiare të vendit.
