Vrasja e Arlinda Zekajt, Prokuroria tregon çfarë ndodhi pak orë para tragjedisë
Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një sqarim të detajuar lidhur me rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt, duke bërë të ditura veprimet institucionale të ndërmarra pas kërkesës së saj për mbrojtje dhe zbatimin e një vendimi gjyqësor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 22 tetor 2026, kryeprokurorja kishte pranuar një kërkesë nga tani e ndjera, përmes së cilës ajo kishte ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor.
Pas pranimit të kërkesës, çështja ishte adresuar me urgjencë te institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë dhe institucionet për mbrojtjen sociale dhe të viktimave.
Gjithashtu, ishte iniciuar një rast për të hetuar nëse veprimet apo mosveprimet e personave zyrtarë përbënin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Viktima kishte kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët
Prokuroria sqaron se më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë një vendim që obligonte ish-bashkëshortin e viktimës ta lejonte atë të kthehej në shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor.
Megjithatë, pas vlerësimit të rrezikut për sigurinë e saj, prokurori i rastit kishte udhëzuar që viktima të qëndronte përkohësisht te vëllezërit e saj, pavarësisht insistimit për t’u kthyer në shtëpi.
Sipas Prokurorisë, ishte planifikuar që kthimi i saj të bëhej me përcjellje policore dhe që një patrullë të qëndronte në afërsi të shtëpisë.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 25 tetorit?
Më 25 tetor, rreth orës 19:48, Policia kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje.
Ish-bashkëshorti i viktimës, J.S., ishte shoqëruar në stacion policor dhe ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës.
Viktimës i ishte ofruar strehimi në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar kthimin në shtëpinë ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.
Rreth orës 21:00, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi.
Vetëm pak minuta më vonë, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Arlinda Zekaj ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i cili dyshohet për vrasjen.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 tetor kishte ngritur gjithashtu aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Në fund, Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur ngushëllime për familjen Zekaj, duke theksuar se do të zhvillohet një hetim i plotë dhe objektiv për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe përgjegjësive eventuale.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Prokurorisë të datës 26 tetor, Policia e Kosovës po vazhdon veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit A.S., i cili ende nuk është arrestuar.
