Kurti pret në takim FC Dardania Basel, vlerëson rolin e klubeve shqiptare në mërgatë

24.10.2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Zyrën e Kryeministrit një delegacion të FC Dardania Basel, klub futbollistik i themeluar në vitin 1993 nga bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka vlerësuar kontributin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke theksuar se sot në këtë shtet jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë dhe zviceranë me prejardhje shqiptare, të cilët janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës kulturore dhe ekonomike.

Ai ka theksuar rëndësinë e klubeve si FC Dardania Basel, të cilat, përveç zhvillimit sportiv, u mundësojnë të rinjve shqiptarë të mësojnë disiplinën, punën në ekip dhe të ruajnë lidhjet me prejardhjen e tyre.

Kurti ka rikujtuar gjithashtu se shumë futbollistë me prejardhje shqiptare, të cilët kanë përfaqësuar Zvicrën apo Shqipërinë, hapat e parë i kanë hedhur pikërisht në klube të vogla.

Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme, FC Dardania Basel do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër KFV Lipjan.

“Një ndeshje mes skuadrës së mërgatës dhe asaj të vendlindjes, ku fiton para së gjithash lidhja jonë”, ka shkruar kryeministri Kurti.