Paralajmërohet shtrenjtimi i Rrugës së Kombit

23.10.2026

Qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt Shqipërisë mund të përballen me kosto më të larta, pasi kompania koncesionare e autostradës Milot–Morinë ka kërkuar rritjen e tarifës së kalimit për veturat nga 5 në 8 euro.

Sipas një dokumenti që po qarkullon në rrjetet sociale, kompania “Albanian Highway Concession” (AHC) ka kërkuar rishikimin e tarifës, duke argumentuar se ajo ka mbetur e pandryshuar që nga fillimi i operimit në vitin 2018.

Kompania pretendon se ndryshimet e treguesve ekonomikë ndër vite duhet të reflektohen në çmimin e kalimit, në përputhje me formulën e indeksimit të paraparë në kontratën e koncesionit.

Nëse kërkesa miratohet, tarifa për veturat do të pësonte rritje prej 60 për qind. Kjo nënkupton se një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Kombit do të kushtonte 16 euro, nga 10 euro sa është aktualisht tarifa bazë.

Megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për miratimin e rritjes. Po ashtu, autenticiteti i dokumentit që po qarkullon ende nuk është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse.

Për rrjedhojë, tarifa prej 8 eurosh mbetet vetëm një kërkesë e raportuar dhe jo një vendim që ka hyrë në fuqi.