Policia paralajmëron kontrolle me radarë statikë në aksin Kosovë–Shqipëri

06.07.2025

Për të garantuar siguri më të lartë në rrugët që lidhin Kosovën me Shqipërinë, policitë e të dy vendeve kanë paralajmëruar masa të shtuara kontrolli gjatë sezonit veror.

Ndër masat e ndërmarra janë përdorimi i radarëve statikë dhe ndëshkimi i çdo shkeljeje të rregullave të trafikut rrugor.

Komandanti i Autostradës në Policinë e Kosovës, Ismail Fejzullahu, ka bërë të ditur se do të ketë prezencë të shtuar policore dhe përdorim të teknologjisë për të evidentuar kundërvajtjet. Ai tha se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për ekzistencën e radarëve statikë, të cilët regjistrojnë automatikisht çdo tejkalim të shpejtësisë apo shkelje tjetër.

“Qytetarët e Kosovës vetëm kanë filluar ta kuptojnë se ka radar statik. Unë shfrytëzoj rastin të bëj apel që të jenë të kujdesshëm. Radarët do të bëjnë incizimin e tyre dhe kundërvajtjet do të regjistrohen direkt në sistem”, theksoi Fejzullahu.

Një apel të ngjashëm për respektim të sinjalistikës rrugore dha edhe Artur Selimaj, shefi i Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shqiptar. Ai sqaroi se për shtetasit e huaj, përfshirë edhe ata nga Kosova, kodi rrugor shqiptar parashikon mundësinë e likuidimit të gjobës në vend, për të shmangur bllokimin administrativ të automjetit.

“Nëse gjoba paguhet menjëherë, brenda afateve të përcaktuara, aplikohet 50% ulje. Në rastet kur nuk ka pagesë në vend dhe ndëshkimi përfshin masa si tërheqja e patentës, atëherë aplikohet pagesa e dyfishtë”, tha Selimaj.

Autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri janë duke bashkëpunuar ngushtësisht për të garantuar rend dhe siguri në akset rrugore më të frekuentuara gjatë verës, në veçanti ato që çojnë drejt bregdetit shqiptar. Të dyja palët u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur aksidentet dhe penalizimet ligjore.