Mbi 13.5 milionë euro për shtesat e fëmijëve në shtator

21.10.2026

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit shtator 2026, për shtesat për fëmijë janë ndarë gjithsej 13 milionë e 537 mijë e 935 euro, për 374 mijë e 652 fëmijë.

Kjo skemë sociale prin për nga numri i përfituesve, ndërsa sa i përket shumës së përgjithshme të pagesave, në vendin e parë renditet Pensioni Bazik i Moshës.

Për këtë skemë, gjatë shtatorit janë ndarë mbi 27.6 milionë euro për 172 mijë e 721 përfitues. Ndërkaq, për pensionet kontributpaguese të moshës janë ndarë mbi 11.6 milionë euro për 47 mijë e 738 përfitues.

Mbështetje financiare kanë përfituar edhe kategoritë e dala nga lufta. Për veteranët janë ndarë mbi 7.8 milionë euro për 39 mijë e 699 përfitues, ndërsa për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës mbi 3.7 milionë euro për 12 mijë e 332 përfitues.

Sa i përket mbështetjes për familjet dhe nënat, për skemën e ndihmës sociale janë ndarë mbi 2.1 milionë euro për 14 mijë e 664 familje. Ndërsa për lehonat e papunësuara janë ndarë 3.42 milionë euro për 6 mijë e 817 përfituese, kurse për lehonat e punësuara mbi 1 milion euro për 2 mijë e 176 përfituese.

Po ashtu, për përkrahjen financiare të familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara janë ndarë 659 mijë e 100 euro, për 9 mijë e 394 përfitues.

Të dhënat përfshijnë edhe skema të tjera pensionale dhe mbështetëse, përfshirë pensionet e personave me aftësi të kufizuara, pensionet e FSK-së, pensionet familjare dhe kompensimet për punëtorët e arsimit të viteve ’90.