Operacioni “Dosja 23” në Zubin Potok, arrestohen nëntë persona për krime lufte
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë zhvilluar të dielën një operacion të përbashkët në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për krime lufte.
Operacioni, i koduar “Dosja 23”, është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara policore dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar nëntë persona, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se për detajet e mëtejshme rreth operacionit dhe veprimeve të ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.
