Aksident tragjik me autobus në kantonin Graubünden të Zvicrës
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rajonin e Engadinës, në kantonin Graubünden të Zvicrës, ku një autobus turistik është përmbysur në aksin rrugor mes Zernez dhe Susch.
Foto: Ilustrim
Autoritetet vendase kanë konfirmuar se nga kjo ngjarje kanë humbur jetën disa persona, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Menjëherë pas aksidentit u aktivizua një operacion i madh shpëtimi, në të cilin u angazhuan ekipe të shumta të emergjencës dhe disa helikopterë. Personat e lënduar u trajtuan në vendngjarje ose u transportuan me urgjencë në spitalet më të afërta, ndërkohë që numri i saktë i viktimave dhe identiteti i tyre ende nuk janë bërë të ditur zyrtarisht.
Autobusi i përfshirë në aksident dyshohet se i përket kompanisë holandeze të udhëtimeve “Oad”. Shoqata Holandeze e Kompanive të Udhëtimit (ANVR) dhe vetë kompania deklaruan se janë në kontakt me të prekurit dhe familjarët e tyre për t’i mbajtur të informuar.
Rruga “Engadinerstrasse” është mbyllur plotësisht për qarkullim, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të përmbysjes vazhdojnë.
