Kosova vendos masë antidamping ndaj farës së grurit nga Serbia

08.09.2026

Kosova ka vendosur detyrim të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.

Vendimi është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria, ku janë evidentuar dëshmi paraprake për import të farës së grurit me çmime damping, si dhe dëmtim të mundshëm të prodhuesve vendorë.

Ministrja Kusari-Lila ka deklaruar se prodhuesit vendorë nuk do të lihen të pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme.

“Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, ka njoftuar ajo.

Masa antidamping synon të krijojë kushte më të barabarta në treg dhe të mbrojë prodhuesit vendorë nga praktikat tregtare që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe prodhimin vendas.