Tre muaj punë, zero paga: LDK-ja akuzon komunën për neglizhencë ndaj punëtorëve të Caritasit
Punëtorët shëndetësorë të angazhuar nga Komuna e Suharekës, në kuadër të një projekti në bashkëpunim me Caritasin, kanë mbetur pa paga për tre muaj, ka bërë të ditur Dega e LDK-së në Suharekë.
Në reagimin e saj, LDK-ja e Suharekës e ka cilësuar këtë situatë si dëshmi të paaftësisë së pushtetit komunal për të menaxhuar përgjegjësitë e marra përsipër.
Sipas LDK-së, vonesa në pagesa përbën neglizhencë dhe cenon të drejtën e punëtorëve për kompensim për punën e kryer.
“Ky është edhe një tjetër dështim i këtij pushteti komunal dhe keqpërdorim i mundit të punëtorëve”, thuhet në reagimin e tyre.
LDK-ja në Suharekë ka kërkuar që pagat e punëtorëve të ekzekutohen menjëherë, ndërsa personat përgjegjës për vonesën, sipas tyre, duhet të japin përgjegjësi.
Ndërkohë, deri më tani nuk është bërë e ditur nga Komuna e Suharekës arsyeja konkrete e vonesës së pagesave.
