Statistikat e Hematologjisë së QKUK-së: Mbi 3 mijë kimioterapi dhe afro 400 biopsi e punksione

20.08.2026

Klinika e Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar mijëra shërbime diagnostike dhe terapeutike gjatë periudhës janar–qershor 2026, duke vazhduar të ofrojë trajtim të specializuar për pacientët me sëmundje të ndryshme të gjakut.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit në këtë klinikë janë realizuar 3,175 vizita ambulantore dhe 416 hospitalizime, ndërsa janë kryer edhe 6,821 ekzaminime të gjakut.

Në shërbimin e Kimioterapisë Ditore janë realizuar 3,064 kimioterapi, ndërsa janë kryer 610 interpretime të strishos së gjakut periferik, 199 punksione aspirative të palcës kockore dhe 196 biopsi të palcës kockore.

Klinika e Hematologjisë është qendra referente e nivelit terciar në Kosovë për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe jo-malinje të gjakut.

Aty trajtohen, ndër të tjera, anemitë, leukemitë akute dhe kronike, sëmundjet limfoproliferative e mieloproliferative, mieloma multiple, sindroma mielodisplazike, çrregullimet e trombociteve dhe të hemostazës, si dhe sëmundjet e trashëguara, përfshirë hemofilitë.

Në kuadër të klinikës funksionon edhe Njësia e Mjekimit Gjysmëintensiv, ku ofrohet trajtim i vazhdueshëm dhe terapi intensive kimioterapeutike për pacientët me leukemi akute.

Të dhënat e gjashtëmujorit, sipas klinikës, pasqyrojnë volumin e lartë të punës dhe gamën e gjerë të shërbimeve të specializuara që u janë ofruar pacientëve nga mbarë Kosova.