Ndalohen punimet në 7 gurthyes ilegalë në Suharekë
Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndërmarrë masa ndaj shtatë gurthyesve në Suharekë, të cilët dyshohet se vepronin në kundërshtim me ligjin dhe pa dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar pas analizimit të dosjeve të më shumë se 200 gurthyesve.
Sipas Pacollit, aksionet në terren do të vazhdojnë edhe më tej, ndërsa subjektet që operojnë pa leje dhe dokumentacion përkatës do të përballen me masa ligjore.
“Do të ketë zero tolerancë për subjektet që operojnë pa lejet dhe dokumentacionin përkatës dhe cenojnë mjedisin”, ka deklaruar Pacolli.
Përveç shtatë gurthyesve në Suharekë, masa janë ndërmarrë edhe ndaj dy gurthyesve në Skenderaj.
