18 mijë hyrje e dalje në Morinë për 24 orë, destinacioni kryesor bregdeti shqiptar
Fundjava ka sjellë fluks të lartë të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinit, ku mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora kanë kaluar drejt Shqipërisë për pushimet verore.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë 24 orëve të fundit në këtë pikë kufitare janë regjistruar mbi 18 mijë hyrje dhe dalje të personave. Pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë pasur si destinacion zonat bregdetare të Shqipërisë, veçanërisht Shëngjinin dhe Velipojën.
Qytetarët që po udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar thonë se zgjedhin Shqipërinë për shkak të afërsisë, detit, mikpritjes dhe gjuhës së përbashkët.
Pavarësisht numrit të madh të udhëtarëve, kalimi në Pikën Kufitare të Morinit po zhvillohet pa vonesa të mëdha, falë procedurave të përshpejtuara të dakorduara mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë sezonit veror, Morina mbetet një nga pikat më të ngarkuara kufitare, pasi mijëra kosovarë çdo vit zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet e tyre.
