Sonte finalja e Turneut Tradicional “Sadik Ramadanaj” – FC Gjinoci dhe Kryeziu Epoxid luftojnë për trofeun

17.07.2026

Gjithçka është gati për natën finale të Turneut Tradicional në futboll të vogël “Sadik Ramadanaj”, i cili sonte (17 korrik) përmbyll edicionin e sivjetmë me ndeshjen vendimtare.

Pas një muaji garash intensive dhe plot emocione, ku janë zhvilluar gjithsej 126 ndeshje, sonte do të luhet ndeshja e 127-të dhe më e rëndësishmja e turneut – finalja për titullin e kampionit.

Në përballjen finale do të takohen FC Gjinoci, me përfaqësues Burim Hajdaraj nga fshati Gjinoc, dhe Kryeziu Epoxid, me përfaqësues Ilaz Kryeziu nga fshati Sopijë.

Mbrëmja finale nis në ora 19:30 me program artistik, ku do të performojnë Hamez, Albrim Llapqeva dhe Arbnore Zogjani, ndërsa ndeshja finale do të fillojë në ora 20:30.

Organizatorët ftojnë të gjithë sportdashësit të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive për të shijuar spektaklin sportiv dhe artistik, si dhe për të përjetuar nga afër kurorëzimin e kampionit të edicionit 2026 të Turneut Tradicional “Sadik Ramadanaj”.