Rriten rastet me fruth në Kosovë, IKShPK konfirmon 63 raste të infektuara
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill – 13 korrik 2026.
Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me këtë sëmundje infektive. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 19 raste, ndërsa pas saj renditen Ferizaj me 12 raste, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.
Raste me fruth janë raportuar edhe në Lipjan, Vushtrri, Shtime, Obiliq, Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që personat me simptoma të dyshimta si temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Instituti ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt, duke theksuar se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit dhe përhapjes së tij në komunitet.
