Gara shpejtësie në Prizren, policia gjobit dy meshkuj dhe një femër me nga 500 euro
Tre persona, dy meshkuj dhe një femër, janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u kapën duke zhvilluar gara shpejtësie me automjete në rrugën “Adem Jashari” në Prizren.
Foto: Ilustrim
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 4 korrik 2026, rreth orës 01:45, kur patrullat e Stacionit Policor në Prizren hasën tre automjete që po garonin në një rrugë publike. Pas ndalimit të tyre, secilit kundërvajtës iu shqiptua gjobë prej 500 eurosh, 5 pikë negative në patentë-shofer dhe masë ndalimi të drejtimit të automjetit për 12 muaj.
Po ashtu, policia bëri të ditur se patentë-shoferët u sekuestruan, ndërsa automjetet u larguan nga qarkullimi.
Policia e Kosovës rikujtoi se garat me shpejtësi në rrugët publike përbëjnë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik, duke theksuar se veprime të tilla nuk do të tolerohen dhe se do të vazhdojë angazhimin për garantimin e sigurisë dhe rendit në komunikacion.

