FSK merr mirënjohje në Mbretërinë e Bashkuar për angazhimin në Operacionin “Interflex”
Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në Operacionin shumëkombësh “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar, një mision i dedikuar trajnimit dhe përgatitjes së ushtarëve ukrainas në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.
Që nga fillimi i angazhimit në vitin 2024, FSK ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke kontribuar me instruktorë dhe personel të specializuar në realizimin e programeve trajnuese për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në këtë operacion është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar nivelin e lartë të profesionalizmit, disiplinës dhe aftësive ushtarake të treguara gjatë misionit.
Në ceremoninë përmbyllëse të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, pjesëtarëve të FSK-së iu ndanë çmime dhe mirënjohje për kontributin, përkushtimin dhe punën e tyre gjatë realizimit të këtij misioni.
Përmes angazhimit në “Interflex”, Kosova ka dëshmuar rolin e saj si partnere e besueshme në fushën e sigurisë ndërkombëtare, duke kontribuar në përpjekjet e përbashkëta për paqe, stabilitet dhe mbështetje ndaj vendeve aleate.
