Nënoficeri i FSK-së Leon Thaqi thyen rekordin shtetëror në vrapimin 600 metra
Nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, OR3 Leon Thaqi nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në atletikë duke thyer rekordin shtetëror në disiplinën e vrapimit 600 metra.
Në garën e fundit të zhvilluar në Gjermani, Thaqi u rendit në vendin e katërt me kohën 1 minutë e 17 sekonda, rezultat që përbën rekord të ri shtetëror në këtë disiplinë.
Leon Thaqi është atlet profesionist dhe garon rregullisht në disiplinat 400, 600, 800 dhe 1600 metra. Si pjesë e Federatës Atletike të Kosovës, ai ka përfaqësuar vendin në gara të ndryshme ndërkombëtare, duke shënuar rezultate të larta dhe performanca të dalluara.
Aktualisht, koha e tij në vrapimin 600 metra e rendit në vendin e parë mes të gjithë atletëve kosovarë në këtë disiplinë.
Ky sukses dëshmon përkushtimin dhe disiplinën e tij, duke e bërë Leon Thaqin një shembull të mirë se si pjesëtarët e FSK-së, krahas detyrave ushtarake, kontribuojnë me sukses edhe në përfaqësimin e Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare.
