Komandanti i FSK-së pret gjeneralin amerikan, riafirmohet partneriteti strategjik me Gardën e Ajovës
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Adjutantin dhe udhëheqësin e Gardës Ajrore të Gardës Kombëtare të Ajovës, Mark A. Muckey, së bashku me stafin e tij.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari falënderoi Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërmjet dy forcave si një histori suksesi. Ai gjithashtu i prezantoi delegacionit amerikan zhvillimet aktuale në FSK dhe rolin e saj në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Nga ana tjetër, gjeneral Muckey vlerësoi lidershipin e komandantit Jashari dhe progresin e arritur nga FSK-ja ndër vite. Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e zhvillimit të kapaciteteve për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Të dy gjeneralët vlerësuan avancimin e FSK-së në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve operacionale, si dhe profesionalizmin e personelit gjatë aktiviteteve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Në përfundim të takimit, ata riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke e konsideruar këtë partneritet si një element me rëndësi të veçantë strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajon.
