Policia në Prizren apelon për kujdes ndaj SMS-ve mashtrues në emër të bankave

20.05.2026

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka apeluar sërish te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve mashtruese që po dërgohen në emër të bankave, pasi kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve.

Sipas policisë, qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme ku njoftohen se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.

Në këto mesazhe përfshihet një link i dyshuar, përmes të cilit kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare.

Pas vendosjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe të tërheqin mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hapin lidhje të dyshimta të pranuara përmes SMS-ve apo email-eve dhe të mos japin të dhëna personale, fjalëkalime apo kode identifikuese në platforma të pasigurta.

Po ashtu, qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar, janë ftuar ta raportojnë menjëherë rastin në polici.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe në ndërmarrjen e masave ndaj personave që kryejnë veprime të kundërligjshme.