Gjykata në Prishtinë jep dënime të rënda për sulmin terrorist në Banjskë

24.04.2026

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke i dënuar me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.

Spasojeviq dhe Toliq nuk ishin të pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit, ndërsa Maksimoviq ka qenë i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Të tre të dënuarit janë pjesë e 42 personave të akuzuar për përfshirje në këtë rast të rëndë të sulmit të armatosur që ndodhi më 24 shtator 2023. Atë ditë, një grup i armatosur serbësh bllokoi fillimisht urën në fshatin Banjskë dhe më pas hapi zjarr ndaj njësive policore që kishin dalë në vendngjarje për të larguar një kamion të vendosur në rrugë.

Gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, qëllimi i grupit të armatosur ishte shkëputja e veriut të Kosovës.