Kurti intensifikon përpjekjet, nesër pritet takimi i radhës me Abdixhikun
Në fazën përfundimtare të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku pritet të takohen sërish nesër në orën 11:00.
Takimi vjen pas një përpjekjeje të mëhershme dyjavore, ku dy liderët zhvilluan një bisedë rreth dyorëshe, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.
Edhe këtë herë, pritjet për një marrëveshje mbeten të ulëta, pasi qëndrimet mes palëve ende nuk janë afruar.Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje është paralajmëruar intensifikim i përpjekjeve politike në ditët në vijim.
Deputeti Arbër Rexhaj ka theksuar se java e ardhshme do të shoqërohet me takime më të shpeshta, duke nënvizuar nevojën që diskutimet të kalojnë nga niveli i përgjithshëm në propozime konkrete për emra.
Procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet ende i hapur, ndërsa koha për arritjen e një konsensusi po ngushtohet.
