Kërcënohet Petrit Kryeziu, institucionet reagojnë ashpër: Sulm ndaj drejtësisë
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka qenë cak i kërcënimeve serioze nga një person i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 17 prill 2026, kërcënimet janë vlerësuar si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe përpjekje për të ndikuar në punën e organeve të ndjekjes penale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar ashpër këto veprime, duke theksuar se çdo tentativë për të frikësuar apo penguar përfaqësuesit e drejtësisë është e papranueshme dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Këto kërcënime përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe si të tilla do të marrin përgjigjen e duhur institucionale, në mënyrë që personi përgjegjës të sillet sa më parë para drejtësisë dhe të përballet me pasojat ligjore”, thuhet në reagim.
Autoritetet kompetente kanë nisur tashmë veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa është bërë e ditur se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së kryeprokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Institucionet e drejtësisë kanë bërë thirrje që të respektohet puna e tyre dhe të shmangen çdo formë presioni apo kërcënimi, duke rikujtuar se sundimi i ligjit mbetet themel i funksionimit demokratik të vendit.
