Naftëtarët kundërshtojnë vendimin e MINT , çmimet e derivateve tejkalojnë tavanin në treg
Naftëtarët në Kosovë po sfidojnë vendimin e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për vendosjen e çmimeve maksimale të derivateve, duke theksuar se kushtet aktuale të furnizimit e bëjnë të pamundur zbatimin e këtij kufizimi.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, deklaroi se çmimi i furnizimit për një litër naftë aktualisht arrin deri në 1.88 euro, çka sipas tij tejkalon kufirin e vendosur nga institucionet.
Ai bëri të ditur se në treg, çmimet e dizelit sot lëvizin nga 1.84 deri në 1.94 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.40 deri në 1.46 euro.
Sipas tij, furnizimi kryesor realizohet përmes pikës në Porto Romano në Durrës, ku çmimi i importit arrin deri në 1.92 euro për litër, pa përfshirë marzhën e fitimit.
Berjani theksoi se operatorët aktualisht po shesin pa fitim, vetëm për të mbajtur furnizimin në treg.
“Ne po e respektojmë vendimin e Ministrisë, por nuk ka naftë me çmimin që është përcaktuar. Situata është e rëndë dhe tregu po funksionon në kushte krize”, u shpreh ai.
Ai shtoi se një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve mbetet situata në Ngushtica e Hormuzit, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin global të furnizimit me naftë.
Sipas tij, mungesa e furnizimit të mjaftueshëm ka krijuar presion të madh në tregun vendor.
Ndërkohë, sipas vendimit të Ministrisë, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.86 euro, ndërsa për benzinën 1.49 euro.
Megjithatë, qytetarët raportojnë se në disa rajone të vendit çmimi i naftës ka arritur deri në 1.96 euro për litër, duke e tejkaluar dukshëm tavanin e përcaktuar.
