Fakulteti i Mjekësisë dominon publikimet shkencore në UP: 115 punime në Scopus gjatë vitit 2025
Fakulteti i Mjekësisë (FM) në Universitetin e Prishtinës ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme gjatë vitit 2025, duke regjistruar gjithsej 115 publikime në databazën ndërkombëtare Scopus.
Ky rezultat përbën një rekord të ri për fakultetin dhe e pozicionon atë si njësinë më produktive në aspektin e kërkimit shkencor brenda universitetit.
Sipas të dhënave, FM kontribuon me afro një të pestën e të gjitha publikimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës, i cili përbëhet nga 14 njësi akademike.
Përveç volumit të lartë të publikimeve, Fakulteti i Mjekësisë kryeson edhe në raportin publikime për staf, me një mesatare prej 0.74 publikime për anëtar stafi.
Në krahasim, Fakulteti Ekonomik ka realizuar 6 publikime në Scopus, me një raport publikime/staf prej 0.09, ndërsa Fakulteti Juridik ka regjistruar 15 publikime me një raport prej 0.28.
Kjo nënkupton se stafi i Fakultetit të Mjekësisë ka publikuar rreth 8 herë më shumë se ai i Fakultetit Ekonomik dhe pothuajse 3 herë më shumë se ai i Fakultetit Juridik.
Vlen të theksohet se për Fakultetin e Mjekësisë dhe atë Ekonomik, viti 2025 shënon nivelin më të lartë të publikimeve të arritura ndonjëherë, ndërsa për Fakultetin Juridik rekordi mbetet ai i vitit 2021.
Këto të dhëna, të bazuara në Scopus, reflektojnë diferenca të theksuara në produktivitetin shkencor ndërmjet njësive akademike dhe ngrenë çështje mbi zhvillimin dhe mbështetjen e kërkimit në nivel universitar.
