40 shkolla të mbyllura në Kosovë brenda një dekade – arsimi përballë sfidës demografike

03.08.2025

Në një dekadë të mbushur me sfida të natyrave të ndryshme, arsimi në Kosovë po përballet me një krizë të heshtur që lidhet ngushtë me lëvizjet demografike dhe rënien e natalitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga TRT Balkan, nga viti 2013 deri më 2023, në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla publike – një tregues i qartë i braktisjes së zonave rurale dhe emigrimit të vazhdueshëm të familjeve drejt vendeve perëndimore.

Fenomeni nuk është i izoluar vetëm në Kosovë. Në total, mbi 350 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në 10 vitet e fundit. Vetëm në Shqipëri janë mbyllur 295 shkolla nga viti 2012 deri në 2022, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, numri i shkollave të mbyllura llogaritet të jetë ndërmjet 30 dhe 44.

Në vitin shkollor 2024/2025, në arsimin e mesëm në Kosovë janë regjistruar 63.551 nxënës. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024, kur ky numër ishte 65.757, vihet re një rënie me mbi 2.000 nxënës – një tjetër tregues shqetësues që pasqyron krizën e thellë demografike që po prek vendin.

Në disa shkolla në Kosovë, numri i nxënësve ka rënë aq shumë sa që procesi mësimor zhvillohet me vetëm 5 deri në 10 nxënës, e në raste të veçanta, edhe më pak.

Faktorët kryesorë që kanë çuar në këtë situatë alarmante janë rënia e natalitetit, emigracioni i lartë dhe zbrazja e fshatrave. Familjet largohen nga zonat rurale për një jetë më të mirë në qytete ose jashtë vendit, duke lënë pas fshatra të tërë pa fëmijë në moshë shkollore.

Në Shqipëri, për shembull, pasojat e kësaj situate janë aq të theksuara sa që në disa shkolla, raporti është bërë paradoksal: 7 mësues për 3 nxënës – një disproporcion që vë në pikëpyetje efikasitetin dhe drejtësinë e shpërndarjes së burimeve arsimore.

Në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka propozuar që shkollat e mbyllura të shndërrohen në qendra për të moshuarit – një vendim që thekson realitetin e dhimbshëm të zvogëlimit të numrit të të rinjve dhe plakjes së popullsisë në rajon.

Mbyllja e shkollave nuk është thjesht një proces administrativ. Ajo është një pasqyrë e gjendjes sociale, ekonomike dhe demografike në vend. Ky trend i mbylljes së institucioneve arsimore është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë shoqërinë – sepse pa nxënës, nuk ka të ardhme.

Ndaj, kërkohet një qasje urgjente dhe gjithëpërfshirëse për të ndalur këtë zbrazje, për të mbështetur familjet e reja dhe për të rimenduar politikat arsimore në përputhje me realitetin e ri demografik që po formësohet në Kosovë dhe në mbarë rajonin.