Sigurohet donatori për renovimin e Bibliotekës së Fakultetit të Mjekësisë

14.01.2026

Pas gjashtë vitesh studim dhe angazhim të vazhdueshëm, Parlamenti Studentor, i udhëhequr nga organizata studentore “Studim Kritikë Veprim”, ka arritur të sigurojë donatorin për renovimin e plotë të Bibliotekës së Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Në emër të Parlamentit Studentor, nënkryetari i këtij organi, Gentrit Isufi së bashku me kolegët Bajramin, Gramosin dhe Bujarin, kanë shprehur falënderimet e tyre të sinqerta për hoxhën Halil Kastrati dhe Shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit”, të cilët kanë marrë përsipër renovimin e tërësishëm të bibliotekës.

Pas shprehjes së vullnetit nga ana e Shoqatës për realizimin e këtij projekti, Parlamenti Studentor ka paraqitur kërkesë zyrtare në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, e cila është miratuar unanimisht me të gjitha votat pro.

Ky renovim vjen në një moment tejet të rëndësishëm, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar dhe kushtet jo të favorshme në objektin e bibliotekës. Përfaqësuesit e studentëve kanë theksuar se janë jashtëzakonisht mirënjohës ndaj z. Halil Kastrati për gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar për përfundimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për një vend të dijes dhe të formimit profesional të një prej kategorive më humane të shoqërisë – mjekëve.