PISA 2025: Kosova mbetet prapa mesatares së OECD-së, vajzat dominojnë ndaj djemve

08.09.2026

Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se sistemi arsimor në Kosovë vazhdon të përballet me sfida të thella strukturore.

Performanca mesatare në shkencë (357 pikë) dhe lexim (340 pikë) ka mbetur thuajse e pandryshuar krahasuar me vitin 2022, ndërsa në matematikë është shënuar një rënie prej 5 pikësh (në 350 pikë). Pikët më të larta janë arritur në zgjidhjen e problemeve kompjuterike (359 pikë). Të gjithë treguesit kryesorë mbesin dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së, duke e renditur Kosovën në pjesën e poshtme të tabelës globale (73.8% e nxënësve gjenden në nivel të ulët të performancës).​

Diferencë e theksuar gjinore në dobi të vajzave

Gjetjet e këtij edicioni nxjerrin në pah një hendek të madh gjinor në dobi të vajzave në të tri fushat:

​Lexim: Vajzat udhëheqin me një diferencë prej 36 pikësh (358 pikë ndaj 322 pikëve të djemve).​

Shkencë: Vajzat shënuan 366 pikë kundrejt 347 pikëve të djemve (diferencë prej 19 pikësh).​

Matematikë: Performanca është pothuajse e barabartë, me një avantazh minimal prej 1 pikëje për vajzat (351 me 350 pikë).

​Pragu bazë dhe kriza e pjesëmarrjes

Vetëm një pakicë e vogël e nxënësve arrin nivelin minimal të kompetencës (Nivelin 2): 21% në shkencë, 16% në lexim dhe 15% në matematikë, ndërsa përsimulimi i talentit të lartë është thuajse inekzistent (0.0%). Për më tepër, vijueshmëria në shkollë mbetet shqetësuese: mbi 54% e nxënësve raportuan mungesë të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, dhe 56% kishin munguar në të paktën një orë mësimore.​

Rekomandimet dhe hapat e ardhshëm

Raporti rekomandon orientimin drejt mësimdhënies së bazuar në mendim kritik, zgjidhje problemesh dhe përdorim të inteligjencës artificiale për kërkim e analizë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se gjetjet do të përdoren si referencë qendrore për ndërhyrje sistematike brenda Strategjisë së re të Arsimit.