Qeveria ndan mbi 1.6 milion euro për Pakon e Ringjalljes Ekonomike
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar të premten, më 13 mars 2026, një mbledhje elektronike ku janë marrë disa vendime të rëndësishme financiare.
Sipas njoftimit zyrtar, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e 500 mijë eurove, të cilat do të shfrytëzohen për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës që janë prekur nga situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.
Po ashtu, ekzekutivi ka ndarë 1,675,000 euro për zbatimin e Masave 3.6 dhe 3.8 në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.Në këtë mbledhje është miratuar edhe autorizimi për ministrin përkatës që të aprovojë transferime nga nënprogrami “Shpenzimet e Paparashikuara” në nënprograme të tjera për shuma individuale deri në 40 mijë euro.
Njëkohësisht, është aprovuar edhe ndarja e 370 mijë eurove për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA).Gjithashtu, Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për t’i rekomanduar presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me KfW, në kuadër të programit për energjinë dhe klimën në Kosovë.
