Reagon Policia e Kosovës: Publikimet e VOX Kosova për kampin “Enver Zymeri” janë manipulim
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj publikimeve të portalit VOX Kosova lidhur me gjendjen në kampin Kampi Enver Zymeri, duke i cilësuar ato si manipulim dhe të papërputhshme me realitetin në terren.
Sipas policisë, kampi “Enver Zymeri” i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve policore, përfshirë qëndrimin e zyrtarëve policorë, trajnimet dhe aktivitetet logjistike.
Në reagim thuhet se në vitet e fundit janë realizuar gjithsej 12 projekte investuese në këtë kamp, ndërsa disa të tjera janë ende në proces realizimi.Policia thekson se fotografitë e publikuara në portal paraqesin vetëm disa hapësira të vjetra dhe jofunksionale që tashmë nuk janë më në përdorim, pasi janë zëvendësuar me objekte dhe ambiente të reja.
“Pamjet e publikuara përbëjnë një sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe një publikim të papërgjegjshëm që nuk pasqyron faktet dhe gjendjen reale në terren”, thuhet në reagim.Tutje, policia ka bërë thirrje për qytetarët dhe mediat që të mbështeten në burime zyrtare dhe të verifikuara para se të shpërndajnë informacione që lidhen me çështje të sigurisë.
Sipas tyre, kampi është objekt me ndjeshmëri të lartë dhe detaje të caktuara nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
