Gjendet në Budakovë të Suharekës shtetasi i Shqipërisë, në gjendje të rëndë shëndetësore
Shtetasi i Shqipërisë, S.P., 30 vjeç, është lokalizuar të premten rreth mesditës, pas dy ditësh kërkimesh intensive të zhvilluara nga autoritetet e Kosovës në rajonin e Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, ai ishte raportuar i zhdukur mëngjesin e 21 janarit, pasi ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë të Ferizajt.
Dyshohet se gjatë largimit, duke drejtuar një veturë të tipit BMW, ai kishte pësuar një aksident trafiku.Menjëherë pas raportimit të zhdukjes, autoritetet kompetente kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, si dhe kanë kryer kontrolle në Qendrën Emergjente në Ferizaj, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe në disa institucione private shëndetësore, por pa gjetur gjurmë të tij.
Të premten, një qytetar ka njoftuar Policinë se kishte hasur një person të panjohur në fshatin Budakovë të Suharekës, afër lokalitetit të njohur si “Gurra e Kadisë”.Pas verifikimeve të menjëhershme, është konfirmuar se personi i gjetur ishte S.P., i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr ndihmë në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, si dhe për qytetarin B. Osmani, 54-vjeçar nga Ferizaj, për angazhimin dhe ndihmën e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.
Ndërkohë, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit ka bërë të ditur se shtetasi shqiptar është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore, duke publikuar edhe fotografi nga momenti i lokalizimit të tij.
