ATK regjistron të hyra rekord prej 1,336 miliardë euro në vitin 2025

22.12.2025

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) po mban konferencën e saj vjetore, ku po prezantohen arritjet dhe sfidat për vitin 2025.

Sipas të dhënave të publikuara, të hyrat vjetore të mbledhura nga tatimet dhe kontributet arrijnë 1,336 miliardë euro, duke shënuar një rekord historik për institucionin. Nga këto të hyra, kontributet pensionale kanë arritur 354 milionë euro, ndërsa tatimet tregojnë një rritje prej 58 milionë eurosh, apo rreth 6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati, vlerësoi kontributin e ATK-së në mbushjen e buxhetit dhe forcimin e shtetit:

“Gjatë 5 viteve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve. Për herë të parë, më 16 dhjetor, tejkaluam shifrën prej 1 miliard euro të hyrash, një rekord historik për institucionin,” tha Murati.

Ai gjithashtu theksoi rritjen e ekonomisë dhe të bizneseve në vend:

  • Qarkullimi i bizneseve sivjet pritet të arrijë rreth 25 miliardë euro, krahasuar me 11.5 miliardë euro pesë vite më parë.
  • Fitimi i bizneseve ka tejkaluar 2 miliardë euro dhe pritet të arrijë 2.3 miliardë euro, nga 900 milion euro para pesë vitesh.
  • Numri i të punësuarve raportuar në ATK ka arritur 435 mijë vende pune aktive, nga 350 mijë pesë vite më parë.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, e konsideroi vitin 2025 një moment historik për institucionin, duke theksuar sfidat me mungesën e punëtorëve dhe moshën mesatare të lartë të stafit, por edhe performancën e jashtëzakonshme të mbledhjes së të hyrave.

Gjatë vitit 2025, ATK ka realizuar:

  • 24,051 kontrolle përmbushëse, përfshirë mbi 16 mijë aktivitete dhe gati 8 mijë vizita në terren.
  • 11,178 gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro.
  • Identifikimin e 23,912 rasteve të mungesave në stoqe dhe 267 gjobave për mallra pa origjinë.

Këto rezultate tregojnë një rritje prej 11% të të hyrave krahasuar me vitin e kaluar, duke dëshmuar për besimin e qytetarëve dhe performancën e ATK-së në administrimin e tatimeve dhe kontributeve.